Emmanuel Macron deklaroi një ditë më parë, në një intervistë dhënë prestigjozes “The Economist” se NATO-s po i “vdes truri”, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kthejnë shpinën aleatëve të tyre europianë.

Shefi i Elizesë u shpreh se SHBA-ja dështoi të konsolidonte përkushtimin e saj ndaj Aleancës Veri-Atlantike, çka u pa sipas tij edhe tek vendimi i saj për të tërhequr trupat amerikane nga Siria Veriore, pa u konsultuar më parë me aleatët.

Por nga ana tjetër, Angela Merkel u shpreh se nuk pajtohej me “fjalët drastike” të Macron.

“Ky nuk është aspak këndvështrimi im përsa i takon bashkëpunimit brenda NATO-s…edhe nëse kemi vërtet probleme dhe nëse na duhet realisht që ta galvanizojmë në mënyrë efikase këtë organizatë”, deklaroi shefja e ekzekutivit gjerman.

“Nga perspektiva gjermane, NATO është në interesin tonë. Është aleanca jonë ë sigurisë”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë Rusia, e cila e sheh NATO si një kërcënim për sigurinë e saj i mirëpriti komentet e Macron si “fjalë të vërteta”.

E ndërsa NATO feston 70-vjetorin e themelimit, zyrtarë të lartë brenda saj janë shprehur se misioni do të vazhdojë dhe se aleanca mbetet e fortë.

j.l./ dita

Flash Lajme