Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin “Java” në RTSH. Duka foli kryesisht për stadiumin e ri, emrin e tij dhe të tribunave.

Numri një i federatës evidentoi faktin se fusha e stadiumit mund të bëjë që stadiumi të mos jetë gati për derbin Partizani-Tirana.

“1001 probleme ka çdo vepër, por kjo mendoj se ka edhe më shumë. Stadiumi ndikon në futboll, tek futbollistët dhe në të gjithë sportin. Projekti për të ndërtuar një stadium ka filluar prej kohësh. Nëse do bësh një stadium të tillë, pa para nga buxheti i shtetit, nuk mund ta bësh ndryshe pa biznese. Mund të jetë kullë, ose shtim në sipërfaqe. Qeveria nuk ka dhënë asnjë lek për këtë stadium, ndërsa Bashkia Tiranë ka fituar madje 3 milionë euro nga taksat.

Emri i stadiumit? Të gjithë kanë të drejtë të kenë mendimet e veta. Ne menduam më mirë që duhet të ishte emër komercial, për më shumë të ardhura, dhe kemi përjetësuar 4 emra në tribuna. 3 futbollistë të njohur, dhe një emër si ‘Qemal Stafa’. Ne jemi menduar të zgjedhim një futbollist nga Tirana, një nga Partizani dhe një nga Dinamo. Unë mendoj më shumë do ndikojë në cilësinë e njerëzve që futen në stadium, më shumë se në cilësinë e lojës. Për komoditetin e mediave, spektatorëve dhe atyre që do vijnë, është më cilësor, për të kaluar 3 orë të gëzueshme në një ambient të mirë organizuar dhe komod.

Ne do tentojmë të prodhojmë para, edhe gjatë ditëve të javës, jo vetëm ditën e ndeshjes. Më akuzojnë se mendoj vetëm për paratë, por pa para nuk bëhet ky futbolli. Është e pamundur të arrish objektiva pa atë. Do mundohemi që stadiumin ta kemi të hapur dhe të vizitueshëm gjithë javës. Kemi një muze, kemi dy ambiente tip kinemaje, që ata të shohin historinë e Tiranës dhe stadiumit. Do e përdorim për kampionatin kombëtar.

Gati për derbin? Kemi një problem, duke qenë se fusha nuk është e lidhur plotësisht. Nuk e di nëse do jetë gati. Po të jetë gati, do luhet derbi aty. Po bëjmë disa analiza, dhe presim përgjigje nëse do luhet derbi. Shifra për klubet nuk do jenë të pamundura, por që të fitojnë më shumë se në të kaluarën.

Dënimi i Skënderbeut? Ai është vendim, mirë është të mos diskutohet. E kanë marrë trupa gjykuese, ka edhe një shkallë gjykimi në gjykatën federale në Zvicër. Masat merren për eliminimin e fenomenit. Skënderbeu është fajtor, shumë mirë që u dënua, ta vrasin dhe ta dënojnë me vdekje. Por, a nuk ka tjetër në Europë? Dhe e keqja është, shqiptarët kundër shqiptarëve. Shqiptarët në përgjithësi e kanë vuajtur dënimin e Skënderbeut. Pjesa organizatore u gëzua. Problemi kryesor në botën e futbollit sot është fiksimi i rezultatit. Po bëhen përpjekje për ta eliminuar. Deri para 5-6 viteve ka qenë e theksuar. Të paktën këtë vit, nga kampionati shqiptar, kemi 0 informacione të tilla, për fat të mirë.

Flash Lajme